Turqi, ndërron jetë dijetari sirian Muhammad Ali as-Sabuni

Shpërndaje

Muhammad Ali as-Sabuni, një nga dijetarët e shquar të botës arabe, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e tij në Yalova të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

I shquar në botën islame me një gamë veprash të shkruara, dijetari sirian Sabuni, u konfirmua i vdekur nga ekipet shëndetësore të cilat shkuan në shtëpinë e tij në qytetin Yalova pas thirrjes nga të afërmit e tij.

Familja e dijetarit njoftoi se ai do të varroset nesër në Stamboll pas namazit të drekës në Xhaminë Merkezefendi.

Biografia

I lindur më 1 janar 1930 në Halep të Sirisë, Sabuni u diplomua në Fakultetin e Sheriatit në Universitetin Azhar në vitin 1952. Më vonë, ai vazhdoi arsimin në Departamentin e të Drejtës Islame dhe përfundoi specializimin në Departamentin e Drejtësisë Sheriatike në të njëjtin universitet në vitin 1954.

Sabuni më pas u kthye në vendin e tij Siri dhe kreu veprimtari arsimore për tetë vjet. Ai emigroi në Arabinë Saudite dhe filloi të ligjërojë në Fakultetin Pedagogjik dhe Fakultetin e Sheriatit në Universitetin e Mekes.

Sabuni, i cili vazhdoi shërbimin në fushën e arsimit këtu për 28 vjet, trajnoi profesorë universitarë dhe recensoi shumë vepra klasike në Universitetin Ummu’l-Kura. Sabuni shërbeu si president i Unionit të Dijetarëve Sirianë për shumë vite.