VMRO-DPMNE kërkon ndalimin e regjistrimit të popullsisë

Shpërndaje

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE sërish ka bërë thirrje për ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë. Kjo parti përmes një komunikate ka theksur se “Zoran Zaevi dhe LSDM-ja po luajnë bast me shëndetin dhe jetën e qytetarëve”.

“Në mes të pandemisë insistojnë në regjistrim për arsye se për ata nuk është operacion statistikor por politik. Për shkak të tregtisë së Zevit në mes të valës së re me mijëra të sëmurë dhe dhjetëra të vdekur në ditë ata do të dërgojnë 5.500 regjistrues shtëpi në shtëpi dhe në këtë mënyrë do të rrezikojnë me ndonjë shpërthim të mundshëm të sëmundjes”, thuhet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së.

Sipas tyre, këta 5.500 regjistrues do ta bartin coronavirusin te 49.500 persona, ndërsa vdekshmëria në Maqedoni është ndër më të lartat ose 4.9, që do të thotë se në prill do të ketë 2.400 të vdekur nga coronavirusi. “Zaev menjëherë duhet ta ndalojë regjistrimin dhe me këtë do ta ndalojë vdekjen e 2.400 personave për shkak të coronavirusit”, kërkon partia opozitare maqedonase.