Ziadin Sela takon ambasadorin e BE-së, kërkon mision evropian për rastet e montuara

Shpërndaje

Sot, në zyrat e Delegacionit të BE-së në Shkup, pata takim me Ambasadorin David Geer.

Ambasadorin Geer e informova në lidhje me iniciativën e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, për të kërkuar mision evropian për rishqyrtim të rasteve të montuara politike dhe të korrupsionit të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

Ambasadorit i dorëzova kërkesë zyrtare drejtuar Komisarit për fqinjësi dhe zgjerim te Komisionit Europian z.Oliver Verhelyi për të mobilizuar urgjentisht një iniciativë gjithëpërfshirëse evropiane për shtetin e së drejtës, përfshirë riaktivizimin e Grupit Priebe, një mision këshillues për shtetin e së drejtës me një mandat të qartë të përqëndruar në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe rastet e montuara politike, misione “peer review” për monitorim të reformave në gjyqësor dhe monitorim të proceseve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.

Në këtë takim, me Z. Geer bashkëbiseduam edhe për nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë, gjë të cilën e konfirmojnë vazhdimisht raportet ndërkombëtare si ai i Transparency International më 28 janar të këtij viti. Me Ambasadorin, bashkëbiseduam gjithashtu për përmbajtjen skandaloze të teksteve shkollore dhe nevojën urgjente për ndryshimin e tyre, si dhe iniciativën e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës mbi ndryshimin e Ligjit për shtetësi.

Në fund, me Ambasadorin Geer u dakorduam që ky takim ishte i dobishëm dhe u pajtuam që bashkëpunimi ynë të vazhdoj në të ardhmen.