Aziri: Shtetësinë më lehtë e merr një kriminel se ata që janë lindur e rritur në RMV

Shpërndaje

Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të skandalit të radhës që po ndodh në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) nën udhëheqjen e Oliver Spasovskit dhe kësaj Qeverie.

Skandali ka të bëj me pajisjen me shtetësi dhe dokumente udhëtimi për 214 kriminel dhe narkodiler të huaj. MPB fillimisht u ka mundësuar të pajisen me shtetësi të RMV-së, e pastaj u ka ndihmuar duke i furnizuar edhe me dokumente personale dhe ato të udhëtimit. Të gjitha këto dokumentacione janë lëshuar me identitete të rrejshëm me qëllim që të njëjtët të mund të fshihen dhe lirshëm ta zhvillojnë aktivitetin e tyre në rrjetin ndërkombëtar të krimit të organizuar.

Pra, në Republikën e Maqedonisë së Veriut më leht mund të marrësh shtetësi si kriminel dhe shpërndarës i narkotikëve në rrjetin ndërkombëtar, sesa të jesh i lindur e rritur në këtë shtet.
Edhe njëherë bëhet e qartë qasja fashizoide që ka pasur MPB në këto 30 vite ndaj qytetarëve të zakonshëm të cilët janë lindur e rritur në këtë shtet, duke i llogaritur si të rrëzikshëm për sigurinë e shtetit e duke mos u dhënë shtetësi.

Mos të harrojmë se po të njëjtit, Oliver Spasovski dhe Zoran Zaev, ishin kundër ligjit për shtetësi të propozuar nga ASH-AAA, duke mos pranuar propozimet tona për lehtësimin e marrjes së shtetësisë për qytetarët.

Prandaj, pyesim Oliver Spasovskin dhe Zoran Zaevin, me sa dëshmitarë e morën shtetësinë këta 214 kriminel?

Si është e mundur që këta ta kenë kaluar filtrin e MPB e mos të shpallen të rrezikshëm për shtetin?

Kush janë më të rrezikshëm për shtetin, të moshuarit dhe loket 70-80 vjeç, apo këta 214 kriminel?

Në fund do ju pyesim publikisht-pas këtij skandali, a do ta pranoni propozimin tonë dhe a do ta votoni ligjin për shtetësi për qytetarët e zakonshëm?

Përndryshe, ashtu siç i keni burgosur pjesëtarët e MPB-së për këtë skandal, do të duhet t’i burgosni edhe shumë punonjës në MPB të cilët për 30 vite ua kanë mohuar të drejtën për shtetësi mijëra qytetarëve në RMV.

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa