BE flet për nismën e Qeverisë Kurti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Shpërndaje

Autoritetet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë në konfiskimin e pasurisë së konsideruar të paligjshme nëpërmjet procedurës penale dhe duhet të kenë shumë kujdes në konfiskimin e pasurisë pa aktgjykim dënues.

Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian, pasi plani i Albin Kurtit për konfiskimin e pasurive që do të konsiderohen si të fituara në mënyrë të paligjshme ka nisur të jetësohet. Bashkimi Evropian, që kërkon të konsultohet nga Qeveria në procesin e përgatitjes së projektligjit rreth kësaj çështjeje, përmes zëdhënësit për Punët e Jashtme dhe çështje të Sigurisë, Peter Stano, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i respektojë parimet e përfshira në Kushtetutë dhe të drejtat themelore të individëve.

Kryeministri Albin Kurti tha se koncept-dokumenti i miratuar të martën në mbledhjen e Qeverisë përqëndrohet në konfiskimin e pasurisë përmes procedurës civile, pa pasur nevojë për ndonjë aktgjykim dënues. Për këtë, Stano ka thënë se presin që autoritetet e Kosovës të përqendrohen në rritjen e sasive të pasurive të konfiskuara përmes procedurës penale. Konfizkimi civil, thotë ai, s’duhet ta zëvendësojë ose dëmtojë zbatimin e kornizës ligjore ekzistuese për konfiskimin penal.

“Opsionet e reformës të parashikuara nga Koncept Dokumenti do të duhet të respektojnë parimet e përfshira në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve. E rëndësishmja, konfiskimi civil nuk duhet ta zëvendësojë ose dëmtojë zbatimin e kornizës ligjore ekzistuese për konfiskimin penal. Për sa i përket kësaj të fundit, kuadri ligjor i vendosur që nga viti 2019 është edhe i fortë e edhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Ne presim që autoritetet të përqendrohen në zbatimin e tij të plotë, duke rritur sasinë e pasurive të konfiskuara përfundimisht përmes procedurës penale”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

Ai ka thënë se janë siguruar nga Qeveria e Kosovës se BE-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë do të konsultohen për përgatitjen e projektligjit, i cili tashmë duket se ka nisur.

“Ne e kuptojmë që Qeveria ka miratuar një koncept dokument për konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të pajustifikueshme, që duke u bazuar në të do të hartohet edhe një ligj. Ne jemi siguruar nga Qeveria se BE dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë do të konsultohen në procesin e përgatitjes së projektligjit”, thuhet në përgjigje.

Koncept-dokumenti i miratuar të martën nga Qeveria parasheh realizimin e konfiskimit të pasurisë së paligjshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues.

“Ministria e Drejtësisë, si propozues i këtij Koncept Dokumenti, i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës të miratojë Opsionin 3 i cili parasheh hartimin e ligjit të ri i cili mundëson realizimin e konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues”, thuhet në koncept-dokument.

“Në cilindo rast, Ministria e Drejtësisë beson se miratimi i opsionit nr. 3 i cili mundëson realizimin e konfiskimit në procedurë civile dhe në mungesë të aktgjykimit dënues, do të mundësojë funksionimin e drejtë të sistemit të konfiskimit të pasurisë dhe demotivim të kriminalitetit në vend”, thuhet tutje aty.

Pasi ky koncept-dokument mori miratimin e shumicës në mbledhjen e Qeverisë të martën, Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për hartimin e projektligjit.