Bekim Jashari sërish kandidat për kryetar, Lushtaku thotë se “do ta shohim kush del fitues”

Shpërndaje

Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, do që ta udhëheqë Skenderajn edhe për një mandat. Sami Lushtaku, i cili nuk i ka punët mirë me Jasharin, thotë se do të shihet në zgjedhje se kush do të dalë fitues.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka konfirmuar se do të garojë edhe për një mandat për kryetar të kësaj komune. Jashari ka theksuar se zgjedhja e tij, është në dorën e qytetarëve, teksa synon fitoren në bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

E nga ky subjekt politik, kundërkandidati i mundshëm i Jasharit mund të jetë kryetari i Degës së PDK-së, në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Ai duke mos e zgjatur shumë komentimin për kandidimin e Jasharit, tha për Express, se secili ka të drejtë që të kandidojë për kryetar.

Për sa i përket fituesit të zgjedhjeve në këtë komunë ai tha se do të shihet në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

“Është e drejtë e secilit me kandidu. Se kush i fiton zgjedhjet me siguri këtë do ta shohim gjatë zgjedhjeve dhe gjatë votimit”, ka deklaruar ai.