Bekim Jashari uron Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si Presidente të Kosovës

Shpërndaje

Të dashur qytetarë,

Republika jonë sonte më në fund u bë me Presidente të re, duke përmbushur kështu vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe obligimin kushtetues të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Uroj që tani pasi kemi zgjedhur të tri pozitat udhëheqëse të shtetit tonë, të shohim angazhim maksimal të tyre për t’i shërbyer shtetit e shoqërisë sonë, në rrugën tonë të Zhvillimit e integrimit.

E uroj znj. Vjosa Osmani, për zgjedhjen e saj në krye të shtetit duke i dëshiruar punë të mbarë e përfaqësim dinjitoz të shtetit.

Le të jetë presidente e të gjithëve, duke ruajtur kështu me shumë përgjegjësi rolin e saj unifikues sipas kushtetutës së vendit.

Zgjedhja e Kryeministrit, Kryeparlamentarit dhe Presidentit të vendit, pa pasur nevojë për koalicione të partive politike, koncentrimi i pushtetit tek një parti politike, krijon mundësi absolute për të zbatuar programin qeverisës të partisë fituese dhe kështu nuk ka asnjë mundësi që dështimet eventuale t’i mveshen të tjerëve.

Njëkohësisht koncentrimi i pushtetit tek një parti politike uroj që të mos keqpërdorët në dëm të shoqërisë sonë.

Pra qeveria e re dhe Presidenca tani kanë të gjitha mundësitë, pa asnjë pengesë që të japin maksimumin për të arritur ndryshimin që kërkojnë qytetarët tonë.

Pandemia, varfëria e papunësia, mos zhvillimi ekonomik, korrupsioni e nepotizmi, mos liberalizimi i vizave e mos integrimi i shtetit në mekanizmat ndërkombëtar, janë sfida që na prekin të gjithëve, andaj le të bëhemi bashkë, t’ia japim shansin e besimin institucioneve tona që të vëjmë në drejtimin e duhur shtetin tonë.

Urime!