Deputeti Halil Snopçe demaskon lojrat e Talat Xhaferit dhe LSDM-së

Shpërndaje

Pasi që kryetari i Kuvendit u lavdërua publikisht në emision televiziv duke i rënë tavolinës se shtyrja e regjistrimit nuk mund të ndodh dhe të nesërmen ishte i detyruar që të ndërrojë qëndrimin duke përgatitur një skenar për shtyrjen e tij dhe duke i thyer të gjitha procedurat për të cilat fliste në po të njëjtin emision, tani i duhej diçka me të cilën do të defokusojë opinionin prej rezillëkut në të cilën hyri, pa mos e detyruar askush. Duke e parë se është e patjetërsueshme që të bëjë diçka me të cilën do duhet shpërlarë veten e tij dhe të paraqitet si ai trimi që si trembet syri, ashtu siç ushtroi skenarin për mosmarrjen e imunitetit të ish kryeparlamentarit Trajko Veljanovski ashtu edhe tani, popullata për së dyti herë u bind që është vetëm një figurë të cilin e dirigjon dikush tjetër dhe qëndrimet i ndryshon në formë të teledirigjuesit që e kontrollojnë të tjerët.

Më 15.04.2021 Talat Xehaferi cakton mbledhjen e 36-të edhe atë pikërisht në kohë të iftarit kur deputetët e opozitës shqiptare më veç kishin shkuar në shtëpi për iftar.

Sidoqoftë, edhe përkundër këtij skenari, opozita shqiptare u kthye ne Kuvend për së dyti herë atë ditë. Talat Xhaferi në mënyrë teatrale kërkonte që fillimisht të votohen ligjet e seancës së 32-të dhe pastaj të hapet seanca e 36-të ku ishin pakot për ndihmat ekonomike. Bëri teatër tërë natën duke shitur parime gjoja se njerëzit nuk e dinë se disa ditë përpara i theu të gjitha parimet duke na bindur të gjithëve se askush nuk e pyetën për asgjë. Ai mundej edhe më 15 prill ti vendos në rend dite pikat edhe të seancës së 32-të sepse opozita shqiptare ishte prezentë aty, por atë nuk e bëri. Pse? Sepse i duhej vazhdimësia e skenarit. Këtë skenar në formë teatrale e bëri edhe sot, më 18 prill, ditë e diel, kur në Kuvend me skafandera erdhën edhe deputetët e infektuar me COVID-19.

Imagjinoni, pakoja ekonomike u votua me 115 vota PËR dhe pushteti me të madhe propagon se vendimtare kanë qenë deputetët me skafandera.

Pra, hipokrizi totale të një skenari jo të suksesshëm. Talat Xhaferi ndoshta për një moment arriti të defokusojë opinionin nga turpi i tij, duke u detyruar të lëpijë atë që pështyu me ligjin për shtyrjen e regjistrimit. Por, kjo ndodhi vetëm për një moment, sepse i tërë fokusi i mediumeve për momentin ishte pikërisht në këtë skenar të përgatitur.

Por, shqiptarët dhe posaçërisht diaspora shqiptare nuk do harrojnë kurrë atë që bëri Talat Xhaferi me BDI-në, në lidhje me shtyrjen e regjistrimit. Ata nuk do harrojnë kurrë se pikërisht kryeparlamentari me partinë e tij, ishin përkrahësit e vetëm të shtyrjes, pas marrëveshjes të cilën e arritën liderët maqedonas.