E dërgoi Mijallkovin në paraburgim! Ristovska nuk u zgjodh prokurore e lartë

Shpërndaje

Para pothuajse dy muajsh dërgoi në paraburgim njeriun më të pushtetshëm dikur, Sasho Mijallkov. E për Mijallkovin kishte kërkuar dënim maksimal për përgjimet e paligjshme. Pokurorja Lençe Ristovska përfaqësoi lëndën më të madhe të ish prokurorisë Speciale, atë Target-Fortesa.

“Sa i përket paraburgimit, me kolegët të cilët kemi punuar mbi lëndën kemi vlerësuar se ekzistojnë dyshime për shqiptimin e masës paraburgim sepse ka ekzistuar rreziku për arratisje. Pikërisht për këtë edhe ishte kërkuar paraburgim”, tha Lençe Ristovska – prokurore.

Por përkundër kolegëve të saj Fatime Fetai dhe Burim Rrustemi, ajo dje nuk u zgjodh prokurore e lartë.

Për vendimin e tillë të Këshillit, prokurorja Ristovska shprehet e zhgënjyer. Ajo thotë të paktën Këshilli duhej të jepte arsyetim se përse nuk e kanë zgjedhur.

“Mbetem në atë që e thashë mbrëmë dhe edhe njëherë do të kisha dashur të theksoj domosdoshmërinë për transparencë më të madhe gjatë zgjedhjes së prokurorëve publik. E njëjta të bazohet me arsyetime mbi vendimet e çdonjërit prej anëtarëve të Këshillit veç e veç”, theksoi Ristovska.

Tv21 pyeti kryetarin e Këshillit të Prokurorëve se përse pikërisht Lençe Ristovska, nuk u zgjedh si prokurore e lartë, Kolevski tha se secili anëtar i Këshillit merr vendimet si i pavarur.

“Unë hapa diskutim në seancë nësë dikush nga anëtarët e Këshillit dëshironte të fliste, askush nuk mori fjalën. Secili anëtar është i lirë të vendosë në bazë të qëndrimeve të veta dhe informacioneve, por askush nuk e mori fjalën. Gjithashtu kishte edhe prokurorë të tjerë me më shumë përvojë që kanë përfaqësuar lëndë të rënda, por kishte edhe prej tyre që nuk u zgjedhën për prokuror të lartë”, deklaroi Aco Kolevski – Kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Përveç Fetait dhe Rrustemit, prokurorë të lartë janë zgjedhur edhe Naum Panovski, Sasho Trajçev, dhe Snezhana Georgievska. E kjo e fundit u bë e njohur në rastin “Mlecen” e cila akuzohej për veprim të njeanshëm. Në lidhje me promovimin e saj, reagoi bashkëshortja e Goce Dimitrievskit i cili kishte humbur jetën në aksident trafiku.

“Këshilli i Prokurorëve Publik në vend që ta shkarkojë apo dënojë prokuroren Snezhana Bundalevska-Georgievksa, për rastin “Mleçen” për shkak se i ka ndihmuar Vasilit, ata e shpërblyen dhe e zgjodhën për Prokurore të lartë që më mirë të lulëzojë korrupsioni.Turp”, tha Natasha Dimitrievska.

Dje Këshilli i Prokurorëve, kolegët e Ristevskës, Trajçe Pelivanov dhe Artan Ajro i zgjodhi si prokurorë për të ndjekur krimin e organizuar dhe korrupsionin./TV21