Edi Rama: Do të jem kryeministër i gjithë shqiptarëve

Shpërndaje

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalimin e tij në tubimin e festës së fitores ka thënë se kjo fitore ishte më e vështira, më e madhja dhe më e bukura e PS-së.

Ai ka thënë se do të jetë kryeministër i gjithë shqiptarëve dhe se kërkon një bashkëpunim të sinqertë me opozitën.

“Ne kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqi të jashtëzakonshme, të një shpirti gare që s’ka të dytë. Kampione në fuqi, kampione përsëri”.

“Më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm që me urtësinë e tyre dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në një moment kaq sfidues për shqiptarët. Shqipëria votoi, vendosi dhe fitoi. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme dhe përballë fatkeqësisë natyrore”.

Rama ka thënë se mision ka bërjen e vendit duke punuar më fort dhe jo duke u ankuar më shumë.

“Fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja. Ne duhet merituar këtë fitore në çdo ditë dhe natë të katër viteve që kemi përpara”.

“Duhet bërë natën ditë me punë të palodhur dhe përkushtim të paepur”.