Grubi uron Ramën: “Paç shëndetin bashkë me familjen dhe të priftë e mbara…”

Shpërndaje

Zv Kryeministri i Parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ia ka uruar fitoren e zgjedhjeve parlamentare kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës.

Ky është urimi i plotë i Grubit:

I dashur Kryeministër,

shqiptarët folën fuqishëm më 25 prill dhe u përcaktuan për herë të parë për një mandat të tretë dhe rrugëtim të sigurt të Shqipërisë moderne, të qytetëruar dhe integruar në Bashkimin Evropian.
Nuk hezituat asnjëherë të rreshtoheni në krah të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së veriut, që nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe, deri tek integrimi në NATO.

Ju uroj përzemërsisht për fitoren e madhe në zgjedhjet parlamentare dhe përgëzoj qytetarët shqiptarë për mbarëvajtjen dhe pjesëmarrjen në procesin demokratik zgjedhor.

Koridori 8, lidhja hekurudhore dhe energjetike, largimi i kufirit midis nesh, shfrytëzimi i portit të Durrësit dhe nesër edhe të Vlorës, integrimi i përbashkët në Bashkimin Evropian dhe shumë projekte të tjera ne interes të qytetarëve janë para nesh, t’i bëjmë bashkë, ta bëjmë historinë duke ndërtuar të ardhmen.

Kryeministër, paç shëndetin bashkë me familjen dhe të priftë e mbara në këtë mandat gjurmëlënës dhe shumë domethënës.