Haradinaj publikon qëndrimin e AAK-së për dialogun në pesë pika

Shpërndaje

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në një takim që ka pasur është unifikuar edhe për qëndrimin e tyre për dialogun Kosovë-Serbi, transmeton ALBAZONE MEDIA.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia është pajtuar që dokumentet ‘non-paper’ nuk janë çështje për diskutim pasi që askush nuk ka të drejtë të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit.

Po ashtu Aleanca ka thënë se pret njohje nga Serbia në kufijtë ligjor e ekzistues përmes një marrëveshje obligative.

AAK-ja është zotuar që do t’i kryejë të gjitha obligimet që i ka karshi dialogut teksa Haradinaj ka shtuar se “në rast se vërejnë tendenca që rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë, do të jenë në mbrojtje të atyre interesave, me të gjitha mjetet e mundshme demokratike”.

Postimi i plotë:

Në takim me Kryesinë e Aleancës, mes tjerash kemi diskutuar edhe për qëndrimin tonë rreth dialogut Kosovë – Serbi.

Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për dialogun është me sa vijon:

1.Temat nacionale nuk janë ekskluzivitet i askujt. Askush nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe Kryeministrin Kurti, nuk duhet të ndërmarr veprime sa i përket temave të dialogut me Serbinë e që do e befasojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Askush nuk duhet të hyjë në obligime të fshehta apo të hapura, pa dakordim paraprak me spektrin politik në Kosovë, përkatësisht Kuvendin e Republikës së Kosovës.

2.Aleanca pret njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3.Askush nuk ka mandat të dialogojë Kosovën e 17 shkurtit e debatet e ngritura së fundmi për disa të ashtuquajtura “non paper”, nuk janë çështje për diskutim.

4.Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të kryejë të gjitha obligimet lidhur me dialogun, si parti opozitare në Parlamentin e Kosovës.

5.Si parti që kemi qenë konsistentë në ruajtjen e interesave kombëtare, në rast se vërejmë tendenca që rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë, do të jemi në mbrojtje të atyre interesave, me të gjitha mjetet e mundshme demokratike.