Interpelanca ndaj punës së Spasovskit, opozita shqiptare kërkon përgjegjësi për “skandalet” e MPB-së

Shpërndaje

Arratisja e Mijallkovit dhe rasteve të tjera të arratisjes, dhënia e pasaportave dhe shtetësive për perona të kërkuar nga Interpoli, , falsifikimi i lejeve të vozitjes, 20 mijë personat që kanë nga dy numra amë, janë disa nga çështjet për të cilat deputeti i koalicionit ASH – AAA, Halil Snopçe kërkoi përgjegjësi nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, gjatë seancën për interpelancën e propozuar nga ky koalicion, shkruan Portalb.mk.

Snopçe tha se, rasti me arratisjen e Sasho Mijallkov paraqet njollë të zezë në këtë shtet që edhe sot e kësaj dite kërkon përgjigje si ka ndodhur ajo, kush e ka ndihmuar, kush e ka mbështetur në arratisjen, a mban dikush përgjegjësi. Fatkeqësisht, siç u shpreh ai, në këtë shtet askush nuk mban përgjegjësi.

“Pas këtij skandali kemi pasur edhe skandale të tjera, për shembull dhënia e nënshtetësisë dhe dokumenteve të udhëtimin 214 kriminelëve dhe narkodilerëve të kërkuar me Interpol. Maqedonia ka liberalizim të vizave dhe kjo paraqet goditje e madhe kundër sistemit Shengen. Sistemi Shengen garanton luftë kundër krimit të organizuar, përballje me kontrabandë të narkotikëve. Nga ana tjetër ne japim dokumente të udhëtimit për kriminel, shndërrohen në banana- shtete, ku kriminelët mund të shëtisin lirisht dhe të kryejnë lirshëm aktivitetin e tyre. MPB nuk punon në interes publik siç është në kushtetutë, por është vënë në shërbim të mafias, hulumtimet tregojnë se mbi 60 përqind e qytetarëve nuk kanë besim në MPB dhe kjo është para se të del afera e pasaportave dhe numrave amë, që dmth se tash besueshmëria është edhe më e dobët”, tha Snopçe.

Ministri Spasovski në lidhje me interpelancën për punën e tij, tha se është e çuditshme sepse ka të bëjë me ngjarjet në lidhje me ish drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, i cili është në burg.

“Keni pasur frikë ta përmendi emrin e Mijallkov para disa viteve, ndërsa tash shohim se si rritet numri i viteve që duhet të rrijë në burg. Çfarë ironie – idhulli dhe ideologu i VMRO – DPMNE-së Sasho Mijallkov është në burg, ndërsa opozita ngrit interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme?! Kjo interpelancë në thelb paraqet shfaqje realiste të sistemit të vlerave të shtrembëruara të opozitës dhe për këtë, më së paku është e çuditshme. Vetëm nga fillimi i vitit deri në mesin e prillit janë konfiskuar rret 850 kilogramë drogë, është ulur numri i tentimeve për kalime ilegale për më shumë se 30 për qind, ndërsa janë shkatërruar edhe dy grupe kriminele. Në mënyrë aktive veprohet në 7 aksione operative, në pothuajse të gjitha segmentet është përmirësim i dukshëm, për 9,5 për qind është ulur krimi i përgjithshëm”, shtoi Spasovski.

Paraprakisht, në fillim të seancës kryetari i grupit parlamentar të VMRO – DPMNE-së, Nikolla Micevski, shprehu revoltën e tij pasi lista e folësve të kësaj partie nuk është pranuar. Ai tha se në pajtueshmëri me nenin 45 do të shqyrtojnë mundësinë për paraqitjen e interpelancës të bartësit të funksionit publik për kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi. Më pas, së bashku me deputetët e tjerë të kësaj partie, e lëshuan seancën. Sipas Xhaferit, lista e folësve nga VMRO – DPMNE nuk është pranuar pasi ajo është dorëzuar me vonesë.

Interpelanca për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski është dorëzuar nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Si propozues janë nënshkruar Ziadin Sela, Afrim Gashi, Skender Rexhepi, Elmi Aziri, Syrija Rashidi, Halil Snopçe, Ilire Dauti, Safije Sadiki Shahini, Atnan Neziri, Abdulla Saliu, Artina Qazimi, Hysni Ismaili.