Jens Stolenberg: Ndryshimi i kufijve në Ballkan është i papranueshëm

Shpërndaje

Presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë takimit në Bruksel kanë komentuar dokumentet jozyrtare që po qarkullojnë në Bruksel mes vendeve anëtare të BE-së, por edhe të NATO-s, duke theksuar se ndryshimi i kufijve në rajon është i papranueshëm dhe çon drejt destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Stoltenberg është shprehur i prerë se një dokument i tillë nuk ka arritur në NATO.

“NON-PAPER-i, nuk dua të komentoj diçka që se kam parë, por e rëndësishme është se çdo spekulim për ndryshim kufijsh vetëm se do të sjellë më shumë pasiguri dhe jostabilitet në rajon dhe nuk ndihmon. Sa i takon NATO-s, stabiliteti dhe siguria e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme për rajonin, por edhe për paqen dhe stabilitetin e Evropës”.

Për Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskin, është shumë e rëndësishme se asnjë qeveri evropiane nuk i ka mbështetur këto ide.

“Fakti që autorët e këtyre NON-PAPER-ëve nuk dihen publikisht është një dëshmi e qartë se madje edhe ata turpërohen nga idetë e tyre. Vetëm njerëz që nuk janë të aftë të krijojnë ide kreative se si t’i promovojnë interesat kombëtare të vendeve të tyre dhe si ta bëjnë jetën e qytetarëve më të mirë në vendet e tyre, vetëm njerëz të tillë krijojnë dokumente të këtilla të papranueshme duke menduar dhe besuar se nëse i ndajnë njerëzit sipas linjës etnike, prosperiteti do të arrijë brenda natës”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka theksuar se së bashku me Maqedoninë e Veriut, si anëtare fuqiplotë e Aleancës, do të punojnë në agjendën NATO 2030 duke përshëndetur planet e Maqedonisë së Veriut që deri në vitin 2024 të ndajë 2% të Buxhetit për NATO-n.