Konjufca: Në zgjedhje shkojmë nëse mungojnë mbi 40 deputetë në seancën për votimin e presidentes

Shpërndaje

Kreu i parlamentit, Glauk Konjufca, ka folur pasi Qeveria në mbledhjen e mbajtur në mbrëmjen e së premtes, ka miratuar ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të njëjtin tani ia procedon kuvendit.

Në një shkrim në Facebook, ai tha se askush nuk e ka pritur që kundërshtimi i të drejtave të mërgatës të shkojë në këtë nivel.

Sipas tij, kundërshtime e opozitës janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm.

“Së paku në këtë çështje kam pritur konsensus të natyrshëm të partive tjera me VV-në. Ky ka qenë njëri prej qëllimeve të kahmotshme të secilit: që mërgimtarët tanë të votojnë nëpër ambasadat e konsullatat e shtetit tonë. Çka ka të keqe këtu!? Këto kundërshtime janë tronditëse për mërgimtarët tanë të cilët qe 20 vite e presin këtë vendim të rëndësishëm. Si mund te quhet “kapje e shtetit” një ndryshim që ia mundëson mërgimtarëve tanë një të drejtë të mohuar padrejtësisht?”, tha ai.

“Po shoh po ashtu se këtë nismë po e quajnë të “ngutshme”. Si mund të jetë e ngutshme një iniciativë e cila është ngritur për herë të parë nga VV-ja ne Komisionin për Legjislacion në vitin 2014? Prej asaj kohe është ngritur e ringritur disa herë. Asnjëherë nuk ka kaluar. Tash mund të kalojë meqë qytetarët kanë votuar për ndryshim”, u shpreh Konjufca.

Tutje tha tha se ky ligj i nevojshëm s’ka lidhje me zgjedhjen e presidentes.

“Si mund të thotë LDK-ja që ky Ligj është shantazh për zgjedhjen e Presidentes!? Ajo si parti para pak ditësh zyrtarisht ka marrë vendim që do të qëndrojë në sallë. Ky është një qëndrim shumë i pjekur e racional në përpjekje për stabilitetin institucional të Kosovës të cilin e përshëndesim. Të drejtat e domosdoshme të mërgatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës”, deklaroi ai.

Konjufca theksoi se Kosova shkon në zgjedhje vetëm nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40.

“Vetëm ata e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër. Ata të cilët e duan shtetin dhe republikën më shumë se veten, i kanë 3 opsione: a) e votojnë Vjosën; b) e qesin kundër kandidatin e tyre dhe e votojnë atë; c) votojnë kundër Vjosës. Kurse ata që duan bojkot e obstruksion – vetëm ata duan zgjedhje në Kosovë. E qartë si drita e diellit”, shkroi Konjufca.