Konjufca: U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit për të ma mveshur një darkë të pa qenë

Shpërndaje

Të nderuar qytetarë,

Mbrëmë isha cak i një su*lmi të disa portaleve (Metro, Periskopi, Insajderi, Infokus dhe Lajmi.net) përmes një lajmi të rremë. U keqpërdor qëllimshëm një fotografi e 17 shkurtit për të ma mveshur një darkë të pa qenë.

Unë dje, së bashku me Presidenten dhe Kryeministrin, fillimisht isha në homazhe te dëshmorët e Prishtinës me rastin e ditës që u kushtohet atyre. Më pas vazhdova te varri i Adem Demaçit dhe dëshmorët e rënë në krye me Afrim Zhitinë. Pas kësaj shkova në Makoc për t’i nderuar të rënët e këtij vendi e të Gollakut. Vazhdova për ta përkujtuar Betejën e Marecit ku ranë heroikisht 27 dëshmorë e 16 martirë mes 18 e 23 prillit të vitit 1999. Po këtë datë ishte edhe përvjetori i masakrës së Koliqit e Dyzit dhe unë isha atje po ashtu për të bërë homazhe. Dhe, në fund shkova edhe ne fshatin Ribar të Lipjanit meqë më 18 prill 1999 ushtria e policia serbe atje vrau 25 shqiptarë.

Shumica prej portaleve që e prodhuan lajmin e rremë nuk u morën fare me këto aktivitete të vërteta. Por ma mveshën një aktivitet të pavërtetë. Kjo është për keqardhje. Konsideroj që, në këtë mënyrë, nuk jam unë personalisht që po su*lmohem, por pozita shtetërore e Kryetarit të Kuvendit. Për ta njollosur atë.

Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë fushatë të lajmeve të rreme veçse vazhdimësi e luftës së atyre që nuk pajtohen me ndryshimet demokratike në vendin tonë. Beteja politike duhet të ndodh në rrafshin e fakteve dhe argumenteve. Kurse lajmet e rreme e dëmtojnë edhe demokracinë edhe gazetarinë.