Kosnett uron Osmanin: SHBA-ja dhe Kosova në partneritet të ngushtë

Shpërndaje

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett e ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriun për zgjedhjen në këtë pozitë.

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme paqësore, të drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, thuhet në një postim të ambasadorit Kosnett në rrjetin social Twitter.

Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur të dielën, Vjosa Osmanin në postin e presidentes. Pas zgjedhjes, ajo bëri betimin para deputetëve.

Ajo fitoi në raundin e tretë të votimit. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet, Nasuf Bejtën. Në raundin e tretë të votimit morën pjesë 82 deputetë, ku 11 vota ishin të pavlefshme. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në adresimin e saj para kuvendit, Osmani tha se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet”, tha ajo.

Më 14 shkurt janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.