Kryeministri Kurti javën e ardhshme vizitë zyrtare në Bruksel, nuk do të takohet me Vuçiqin

Shpërndaje

Kryeministri i vendit, Albin Kurti nga mesi i javës së ardhshme do të jetë në një vizitë zyrtare në Bruksel, ndërsa do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

Kështu bëri të ditur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se Kurti në Bruksel nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuciq”, u shpreh Kryeziu.

Ndryshe, një ditë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një letër që i ka shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmendur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë letër, Biden ka theksuar se ShBA mbështet vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili duhet të përqendrohet në njohje reciproke.

Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme mes dy vendeve.

“E di që për të arritur këtë duhet fleksibilitet dhe kompromise të vështira gjatë rrugës dhe SHBA-ja do të jetë partner i juaj në çdo hap”, ka thënë Biden.