Kryeministri Kurti vuri kurora lulesh dhe bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare

Shpërndaje

Në përvjetorin e 22-të të betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë vënë kurora të freskëta lulesh dhe kanë bërë homazhe para varreve të dëshmorëve dhe heronjve.

Kryeministri Kurti tha pas homazheve se Beteja e Koshares ishte betejë e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila theu kufirin e vjetër 86 vjet që i ndante dhunshëm dhe padrejtësisht shqiptarët. Në këtë betejë, sipas kryeministrit Kurti, Ushtria Çlirimtare e Kosovës krijoi kushtet për luftë të suksesshme drejt çlirimit përfundimtar të vendit.

“Beteja e Brigadës 138 të UÇK-së, që më pas mbante emrin e heroit, komandantit të saj Agim Ramadani, është një betejë së cilës duhet t’u kthehen nxënësit e studentët, për ta studiuar dhe për ta mësuar, por edhe i gjithë populli ynë e në veçanti institucionet dhe politikanët, në mënyrë që kurrë të mos e harrojmë prej nga vijmë, në mënyrë që të jemi të sigurt se kah duhet të shkojmë e ku duam të shkojmë”, tha kryeministri Kurti.

Sot, më 9 prill, shënohet edhe Dita e Kushtetutës së Kosovës. Kryeministri Kurti tha se 9 vjet para 9 prillit të Kushtetutës e kemi 9 prillin e Koshares që është përplot gjak të derdhur të dëshmorëve, që janë dëshmi e historisë të lavdishme dhe krenare, por edhe e çmimit të madh që kemi paguar për lirinë e vendit tonë, për pavarësinë e vendit tonë dhe për përparimin e të gjithëve, që nuk do ta përjashtojë asnjërin.

“Dëshmorët nuk kanë nevojë për neve, ne kemi nevojë për ata dhe nëpërmjet tyre ne bëjmë politika të mira institucionale dhe qeveritare sepse përkushtimi për dëshmorët shndërrohet në përgjegjësi institucionale për fëmijët”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë përkujtimore të Betejës së Koshares.

Lajmi: Kryeministri Kurti vuri kurora lulesh dhe bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare