KSHZ do të blejë terminale për lexues të gishtërinjve, Dashtevski: Procesi do të përfundojë para zgjedhjeve lokale

Shpërndaje

Qeveria ka ndarë 720 milion denarë mjete shtesë për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve që të blihen terminale fingerprint të cilat do të përdoren për zgjedhjet lokale. Në maj do të fillojë procedura për furnizimin publik, ndërsa javën e ardhshme do të mbahet edhe dialog teknik ku të gjitha palët mund të kyçen për të dhënë rekomandimet e tyre për pajisjet biometrike.

“Procedura do të jetë e hapur. Javën e ardhshme planifikojmë të zbatojmë edhe dialogun teknik. Procedura do të jetë publike dhe transparente, do të bëhet përmes sistemit elektronik për furnizime publike. Dialogu teknik do të zgjasë pesë ditë. Të gjithë ofertuesit ose operatorët elektronik të vendit ose të huaj mund të japin rekomandimet dhe vërejtjet e tyre për dokumentacionin tonë të cilin tashmë e kemi përgatitur”, deklaroi Ditmire Shehu.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski shprehet i bindur se i gjithë procesi do të përfundojë para zgjedhjeve lokale në tetor.

“Kushti në dialogun teknik është që pajisjet të dërgohen në afat prej 30-60 ditëve, mund edhe në mënyrë të njëpasnjëshme për shkak se kemi një pjesë të pajisjeve. Kjo do të ishte në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, ndërkohë duhet të ketë trajnim të atyre që do të punojnë me ato aparatet dhe të implementohen pajisjet, mendojmë se ka kohë të mjaftueshme për të gjitha punët”, tha Dashtevski.

Sipas numrit të vendvotimeve do të blihen rreth 4000 pajisje për votim biometrik, ndërsa zgjedhje me fingerprint vjen si rezultat i marrëveshjes paraprake mes kryeministrit Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.