KURTI: Prilli – muaji i masakrave dhe i kujtimit

Shpërndaje

Sot në ditën e dëshmorëve të Prishtinës, kur shënojmë edhe Betejën e Marecit, nderuam gjithë të rënët në Komunën e Prishtinës, bashkë me Presidenten e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.

Prilli vazhdon të jetë muaj i përkujtimeve të masakrave, krimeve e gjenocidit që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit. Këto masakra janë vazhdimësia e tragjedisë së përjetuar nga populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës. Janë gjaku ynë që nuk falet. Dhimbja që nuk ndalet.

Këto ditë, që nga fundjava e kaluar, kujtuam Kaçanikun legjendar, ku ushtarë të UÇK-së në mbrojtje të popullatës civile u përballën me forcat ushtarake e policore të Serbisë në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re. Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku u zgjua i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në mbrojtje të popullatës civile në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, ranë dëshmorë 28 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë datë, nderojmë edhe 32 viktima të luftës të vr*arë në Rakoc dhe Lagje të Re.

Këtë javë gjithashtu përkujtuam Lugishtën e Hasit. Lugishta është ndër fshatrat më të dëmtuara gjatë luftës në vend. Në pranverë të vitit 1999, forcat serbe vr*anë më shumë se 50 banorë, në mesin e të cilëve edhe fëmijë, derisa pjesën tjetër e largoi dhunshëm. Lugishta me 12 prill kujtoi 8 dëshmorët dhe 47 martirët e vet. Lugishta ishte gjithashtu rrugë, nëpër të cilën kaluan shumë ushtarë të UÇK-së për të bartë armatimin nga Shqipëria në Kosovë.

Përkujtuam edhe masakrën e rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë të 14 prillit, e cila është njëra ndër masakrat më të mëdha në komunën e Mitrovicës. Në këtë masakër, nga kriminelët serbë janë të vr*arë 31 shqiptarë.

Me 15 prill përkujtuam masakrën në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, si dhe masakrën e Sllovisë në Lipjan. U bënë 22 vjet që kur u vr*anë 23 civilë të pafajshëm në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ndërkaq një person mbetet akoma i pagjetur nga kjo lagje. Ndërsa Sllovia përkujtoi masakrën e dhunës serbe që vr*au 45 civilë shqiptarë dhe plagosi shumë të tjerë. Afër 100 shtëpi shqiptare u dogjën në Sllovi dhe pas dëbimit të banorëve, ushtria serbe shkatërroi gjithë çka pati përpara.

Ndërkaq dje u bënë 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe nga masakra në Çikatovë të Vjetër ku ushtria serbe ka vr*arë dhe masakruar 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Në këto masakra u vr*anë foshnje e pleq, pa mëshirë. Në përjekje të asgjësimit të gjurmëve të krimit, forcat serbe i dogjën kufomat e viktimave të Masakrës së Poklekut, ndërsa kufomat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i morën dhe i zhdukën duke i dërguar në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.

Përkujtimet sot i vazhdojmë me masakrën në Dyz të Podujevës, Ribar të Vogël të Lipjanit dhe Marec të Prishtinës. Në Dyz u vr*anë 70 civilë të pafajshëm. Forcat policore dhe ushtarake serbe vr*anë 19 civilë nga fshati Ribar i Vogël dhe 6 civilë nga fshati Blinajë (Vershevcë).

Gjithë këto jetë të humbura, janë çmimi i paguar për lirinë e pavarësinë e që duhet t’i gëzojnë të gjithë pa dallim. Ne sot përkulemi para familjeve dhe dhimbjes që ato kanë, me premtimin se do të bëjmë krejt çka mundemi e dijmë për të adresuar nevojat e tyre.

Postimi nga KurtiL https://www.facebook.com/albini2017/posts/1113647959135087