Kurti takon Lajçakun: Dialogu të adresojë çështje të pazgjidhura, jo të krijojë të reja

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Bruksel, ku në orët e mbrëmjes ka zhvilluar një takim me emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Unë rikonfirmova që dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin dhe të vërtetën, të jetë i barabartë dhe të adresojë çështje të pazgjidhura, jo të krijojë të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndryshe, kryeministri Kurti sot ka pasur takime të shumta me zyrtarë të lartë të BE-së.

Në delegacion me kryeministrin Kuti gjatë vizitës në Bruksel janë edhe dy zëvendëskryeministra, Donika Gërvalla-Schwartz, për Punë të Jashtme dhe ai për Çështje Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi.