Mbi 150 mijë të moshuar të vaksinuar në Shqipëri

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, janë deklaruar rreth vaksinimit të të moshuarve, proces ky që po vazhdon intensivisht në të gjithë vendin.

Ministrja Manastirliu njoftoi se deri më tani janë vaksinuar mbi 150 mijë të moshuar.

“Kemi vaksinuar mbi 10 mijë qytetarë në Korçë. Kemi arritur mbi 150 mijë të moshuar të vaksinuar deri më tani. Ndërkohë që gjithsej janë mbi 206 mijë vaksinime. Gjithashtu edhe në qendrat shëndetësore vijon po i njëjti proces”, u shpreh ajo.

Manastirliu shtoi se në mbrëmjen e së hënës kanë mbërritur shtatë mijë e 20 doza të vaksinës Pfizer, ndërkohë që njoftoi se, sipas kontratës së qeverisë me kompaninë, deri në 20 prill priten mbi 22 mijë doza të tjera vaksinash.

“Dje kanë mbërritur dozat e Pfizer, 7020 doza, ndërkohë që deri në 20 prill priten 22,230 doza. Dhe më tej përgjatë fundit të prillit dhe majit vijon kontrata me Pfizer me dozat sipas planifikimit”, bëri me dije Manastirliu.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh se këtë javë ulet fasha e grupmoshës për vaksinim në 65 vjeç.