Monika Kryemadhi shfaqet e penduar pas zgjedhjeve, i kërkon falje qytetarëve për djegien e mandateve

Shpërndaje

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhin ka reaguar për herë të parë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave të 25 Prillit.

Në një konferencë për mediat, Kryemadhi iu uroi fitoren oligarkëve dhe bandave, që sipas saj triumfuan realisht në zgjedhjet e së dielës.

Më tej, ajo pranoi se djegia e mandateve, dhe vendimi për të mos hyrë në zgjedhjet lokale, që u mor së bashku me Lulzim Bashën ishte i gabuar, dhe u reflektua në këto zgjedhje.

Kryetarja e LSI-së i kërkoi falje dhe presidentit Meta, që nuk e kishin marrë parasysh paralajmërimin e tij, për atë që do të ndodhte në këto zgjedhje.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit:

Së pari dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, pasi ata janë të parët që duhen uruar. Së dyti uroj presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta që dha në Shqipëri, dua të falënderoi 107 mijë votuesit që i dhanë votën LSI-së, dhe dua të falënderoj dhe 80 mijë votuesit e paligjshëm, ku 70% e tyre i përkasin LSI.

Ky është një falënderim zemre, për të gjithë burrat dhe gratë që nuk pranuan të intimidohen. Makineria politike, mediatike dhe oligarkike ndaj LSI që nuk u tërhoq prej dy vitesh ndaj nesh, ku fatkeqësisht zbatuam një strategji që pati pasojat në këtë rezultat, patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga zgjedhja e mandateve, mos pjesëmarrja në zgjedhjet lokale, dashje pa dashje i dhamë pushtet absolut Edi Ramës.

Dua ti kërkoj falje presidentit, për qëndrimin që kemi pasur ne, gjë e cila solli fitoren e zgjedhjeve nga bandat.

E vuri Shqipërinë në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, i la hapësirë bandave krimit, oligarkëve dhe medieve të kapura nga oligarkët për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ne mbetemi të palëkundur në të gjithë këtë proces.

LSI nuk do të jetë vetëm në parlament, do të jetë në sheshe, do të jetë në cdo shtëpi, do të vazhdojë çdo denoncim për votat e blera.

Ju bëj thirrje të gjithë numëruesve, që të jenë vigjilentë, sepse në Durrës, ku Edi Rama mori mandatin e Elona Gurit për 149 vota, kanë dali mbi 10 mijë vota të pavlefshme që janë numëruar për PS. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qarkun e Fierit dhe të Beratit.