Nagavci: Mësimi sot filloi pa pengesa, për javën e ardhshme do të vendoset sipas rekomandimeve

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se në këtë formë të mësimit do të vazhdohet këtë javë, ndërsa për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht si do të jenë rekomandimet nga organet kompetente.

Nxënësit sot i janë rikthyer mësimit pas pushimit njëjavor, ndërsa për shkak të pandemisë COVID-19 klasat nga IV deri XII do të zhvillojnë mësimin online, kurse nga I deri V janë rikthyer në bankat shkollore.

Nagavci me këtë rast në një konferencë për media tha se ky vit me pandeminë nuk ka qenë i lehtë.

“Në këtë formë për këto nivele të shkollimit do të vazhdohet në këtë javë. Sigurisht se ne do të përcjellim si do të shkojë situata me pandeminë dhe për javën e ardhshme do të merret vendimi varësisht si do të jenë rekomandimet nga organet kompetente dhe në dakordim me drejtoritë komunale, varësisht prej rrethanave specifike në secilën komunë”, tha ajo, raporton Telegrafi.

Ministrja e Arsimit tha se është e vetëdijshme për sfidat që i kanë mësimdhënësit për organizimin e mësimit online, por sipas saj, me angazhimin e të gjithëve do të arrihet më e mira e mundshme.

“….Megjithatë, mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë…”.

Nagavci tha se komunat kanë raportuar se është kryer dezinfektimi i të gjitha shkollave dhe sa i përket pajisjeve teknologjike komuna ka marrë masat.

Ministrja e Arsimit ka folur edhe sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, duke thënë se do të trajtohet me prioritet.