Osmani pas takimit me tre ish-presidentët tregon se për çfarë u dakorduan mes tyre

Shpërndaje

Presidentja e vendit Vjosa Osmani priti sot në takim ish-presidentët, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli dhe Atifitete Jahjaga.

Osmani duke ndarë fotografi nga takimi thekson se kultura e mirëfilltë shtetërore ndërtohet vetëm duke e njohur dhe respektuar traditën institucionale dhe duke e shndërruar atë në përvojë të vyer, së cilës mund t’i referohemi dhe nga e cila mund të mësojmë vazhdimisht.

Osmani theksoi se së bashku me ish-presidentët u pajtuan që vazhdimisht të konsultohen për çështje të interesit të vendit.

Postimi i plotë:

Kultura e mirëfilltë shtetërore ndërtohet vetëm duke e njohur dhe respektuar traditën institucionale dhe duke e shndërruar atë në përvojë të vyer, së cilës mund t’i referohemi dhe nga e cila mund të mësojmë vazhdimisht.

Për këtë qëllim, sot pata kënaqësinë t’i pres dhe të bashkëbisedoj me ish-presidentët e Kosovës, Prof.dr. Fatmir Sejdiu, znj. Atifete Jahjaga dhe z. Behgjet Pacolli. Përvoja e secilit prej tyre është e rëndësishme për rrugëtimin që do ta ndjekë institucioni ynë, por edhe mundësi për të krijuar një frymë të re në jetën tonë institucionale, atë të këshillimit të vazhdueshëm me ish-presidentët, si njerëz të cilët kanë bartur mbi supe barrën e udhëheqëjes së institucionit më të lartë të vendit në periudha të ndryshme.

Bashkërisht u pajtuam që vazhdimisht të konsultohemi për çështje në interes të vendit. Mendimi i tyre i vlefshëm do të respektohet, ndërsa ne do t’i inkurajojmë ata që në cilësinë e ish-presidentëve ta vazhdojnë përkushtimin ndaj Kosovës, duke e shpërndarë imazhin e vendit të tyre gjithandej botës, nëpër forume të ndryshme politike e përfaqësuese.