Presidentja Osmani priti në takim ministrin e Jashtëm të Gjermanisë Heiko Maas

Shpërndaje

Në emër të qytetarëve të vendit, Presidentja Osmani i ka shprehur falënderimin ministrit Maas për mbështetjen, të cilën Gjermania historikisht ia ka dhënë Kosovës, për ta rritur numrin e njohjeve, për ta fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar, zhvilluar ekonominë dhe për ta ndërtuar paqe më të qëndrueshme.

Më pas, të dy bashkëbiseduesit e kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë shfaqur qëndrimet e tyre në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, përballjen me pandeminë, dialogun dhe perspektivën evropiane.

Presidentja Osmani ka thënë se çështja e parë dhe prioriteti themelor i institucioneve të Kosovës është menaxhimi i pandemisë.

“E falënderova ministrin për ndihmën që Gjermania ka dhënë nëpërmjet iniciativës Covax, po ashtu Bashkimit Evropian. Deri tani Kosova ka marrë 24.000 vaksina dhe 95.000 tjera priten, mirëpo kjo akoma është përqindje shumë e vogël dhe shpreha interesimin e institucioneve të Kosovës që të vazhdojmë bashkëpunimin me Gjermaninë për të pas mbështetje edhe në të ardhmen”, ka thënë Presidentja Osmani.

Zonja Osmani ka shtuar më tej se vaksinat janë të nevojshme në mënyrë që në të mund ta menaxhojmë këtë pandemi kaq të rrezikshme.

Kurse për procesin e liberalizimit të vizave, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar kriteret.

“Një proces për të cilin Kosova ka plotësuar tashmë kriteret dhe e falënderoj ministrin për përkrahjen që institucionet e Gjermanisë e kanë dhënë në kët drejtim. Tani presim nga të gjitha shtetet anëtarë të Bashkimit Evropian ta përmbushin premtimin e tyre në raport me popullin e Kosovës, i cili padrejtësisht po mbahet akoma i izoluar”, ka theksuar Osmani.

Presidetnja Osmani dhe ministri Mass, gjithashtu kanë folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë është proces në të cilin Kosova ka qenë e angazhuar që nga fillimi dhe Republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit në raport me Serbinë, edhepse për fat të keq Serbia akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe akoma nuk ka drejtësi për mijëra e mijëra viktima të Kosovës. Si institucione të Kosovës e informova ministrin që ne do të vazhdojmë të ngrisim zërin dhe të bëjmë çmos që të ketë drejtësi për të gjitha këto viktima”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas të parës së vendit procesi i dialogut ka nevojë për një resetim.

“Ne jemi pro dialogut. Por fillimisht do të bëjmë një ‘reset’ ku do të shohim secilën marrëveshje të deritashme. Ajo që është e rëndësishme, ne nuk do të lëshohemi në aventura si ato me ndryshime kufijsh, logjikë kjo që i përket një logjike të shekullit të kaluar. Të gjitha institucionet tona vëmendshëm do të shqyrtojnë secilën marrëveshje të arritur, secilin dokument të shqyrtuar deri më tani dhe do të zhvillojmë një dialog të bazuar në parime të qarta ku Republika e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme që kanë të bëj qoftë me ndryshim kufijsh logjikë kjo që i takon shekullit të kaluar, qoftë me ndryshime rregullimi kushtetues të Republikës së Kosovës i cili do ta rrezikonte funksionalitetin tonë të brendshëm dhe një Kosovë jofunskionale nuk i duhet as rajonit tonë dhe as partnerëve tanë. Natyrshëm presim që ky proces të përfundoj me njohje reciproke”, ka thënë Presidentja.

Në këtë konferencë, Presidentja Osmani dhe ministri Mass, kanë kundërshtuar idenë e rivizatimit të kufijve.

“Ne menjëherë kemi rënë në kontakt me autoritetet sllovene, dhe ata na kanë thënë se një gjë e tillë nuk është vërtet. Ide të tilla janë të rrezikshme për rajonin dhe përtej rajonit, idetë e tilla i takojnë shekullit të XIX-të dhe vizatimi i kufijve në baza etnike është në kundërshtim me vlerat evropiane”, ka theksuar Presidentja Osmani. Ndërkaq ministri Mass ka thënë se idetë e tilla refuzohen fuqishëm nga Gjermania.

“Unë nuk e di nëse ka përpjekje të tilla për shkak se gjithë kohën është folur për non-peper për cka duhet të mbetet si i tillë. Qeveria gjermane i refuzon në mënyrë të fuqishme sepse kjo zgjidhje nuk do të qonte në drejtim të zgjedhjeve të konflikteve por do t’i ashpërsonte, prandaj ne i refuzojmë. Brenda BE-së askush nuk do të imagjinonte se kjo mund të bëhet realitet”, ka deklaruar ministri i jashtëm gjerman.