Prezantohen biografitë e kandidatëve për president Vjosa Osmani dhe Nasuf Baftiu, në sallë janë 84 deputetë

Shpërndaje

Në seancën për zgjedhjen e presidentit janë prezantuar biografitë e dy kandidatëve për president Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Mimoza Kusari Lila ka prezantuar biografinë e Vjosa Osmanit kurse Haxhi Avdyli të Nasuf Bejtës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ka bërë të ditur se seanca për zgjedhjen e presidentit ka filluar dhe kuorumi është bërë pasi 84 deputetë kanë marrë pjesë në seancë.

Kandidatët për presidentë janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 deputetë në Kuvend për ta bërë kuorumin, e pastaj mund të zgjidhet edhe me shumicën e thjeshtë të votave prej 61 sosh.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në Kosovë zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt, dhe më 22 mars, 2021 u konstituua Kuvendi dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.