Protestë para Rektoratit, kërkohet përjashtimi i Ardian Kastratit nga UP-ja

Shpërndaje

Aktivistë të shoqërisë civile  përmes një protestë të organizuar të hënën në oborrin e Rektoratit  të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar  përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja, raporton Ekonomia Online.

Ai sipas organizatorëve po akuzohet për gjuhë seksistë ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Kastrati të dielën kur edhe po zgjidhej presidentja Vjosa Osmani, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke cituar një përshkrim të shkrimtarit Faik Konica, i cili është marrë si ofendim ndaj saj.

“Gjithmonë më ka pëlqyer shumë satira e Faik Konicës. Në një shkrim të botuar në ‘ Gazeta Dielli’ mes tjerash gjeta këtë përshkrim satirik të Konicës (për një ish zyrtare të lartë të Stambollit) që sonte më bëri të qesh me lot: ‘…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit’”, ka shkruar ai.

Më vonë Kastrati e ka fshirë postimin e më pas ka mohuar se ai i është kushtuar Osmanit apo kujtdo tjetër.

Postimi i Kastratit i cili është edhe deputet i PDK-së, ka ngjallur reagime të shumëta duke kundërshtuar atë.