Pse u thirr seanca në kohë të iftarit? Sqaron Talat Xhaferi

Shpërndaje

Kryeparlamentari Talat Xhaferi është sqaruar në lidhje me thirrjen e seancës plenare ditën e enjte, në ora 19:20 kur përkonte me kohën kur deputetët myslimanë, duhej të çelnin iftar pasi jemi në muajin e agjërimit – Ramazani.

Xhaferi sqaron, se gjithçka filloi kur koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski kërkoi pauzë në ora 18:20, dhe sipas Rregullores, ai është i detyruar që të të japë një orë pauzë brenda ditës.

Sipas pauzës, përkonte që deputetë duhej të ktheheshin në sallë në kohë të iftarit, dhe për këtë shkak, Xhaferi ka vendosur që në sallë të mos kthehet atëherë, por në ora 20:45.

“Nuk kishte arsye të ndërpritet seanca e 32-të dhe të kalohet në seancën e 36-të. Arsye për të ndërprerë seancën në atë moment nuk kishte, për faktin se në sallë kishte mbi 62 deputetë dhe kishte parakushte që pikat të vihen në votim. Në momentin kur unë filloj që pikat t’i vendos një nga një në votim, ata dalin jashtë. Ndërkohë rikthehet koordinatori dhe në ora 18:30 kërkon pauzë për një orë dhe unë sipas Rregullores, me kërkesë të koordinatorit të grupit parlamentar, mund të jap pauzë më së shumti një orë brenda ditës. Fakti që grupi parlamentar kërkon pauzë, unë e kam për obligim që të jap pauzë dhe ajo pauzë përkonte me orën 19:20, që në fakt rezultonte me afatin kur fillon iftari për deputetë që mbajnë Ramazan dhe për këtë arsye në ora 19:20 nuk jam kthyer në seancë, sepse nëse kthehesha do të duhej të konstatoj se deputetët që mbajnë Ramazan, janë duke bërë iftar dhe duhej përsëri të jap pauzë edhe për një orë. Për këtë arsye deri në ora 20:45 nuk jam kthyer në sallë, që të mundësoj që deputetët të çelin iftar dhe të vazhdojmë në sallë”, deklaroi Xhaferi, transmeton TV21.