Rama me biznesin e vogël në Fier: Taksa 0 për ju, deri në 2029

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama i mëshon premtimin se biznesi i vogël do të gëzojë 0 taksa, të paktën deri në vitin 2029.

Në një takim me sipërmarrësit e këtij sektori në Fier, Rama nuk ngurroi të përsëriste nevojën për një mandat të tretë, nën argumentin e zakonshëm, se tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit dhe pandemia Covid-19, nuk e kanë lejuar të përfundojë me sukses punët e marra përsipër.

Kreu i qeverisë gjithashtu u premtoi përfaqësuesve të biznesit të vogël se këtë vit do të ketë një sezon turistik të lehtësuar.

“Mandati jonë i dytë, një mandat i jashtëzakonshëm, më i jashtëzakonshmi në historinë e pluralizmit, dhe do jetë edhe për shumë dekada të tjera. Në një mandat qeverisës, të kesh një tërmet që na ndodhi dhe një pandemi…je në kushte kur je në luftë dhe duhet të mobilizosh të gjitha forcat për t’u përballur.

Do të fshijmë nga faqja e dheut të gjitha gjurmët e tërmetit. Duhet të dalim sa më shpejt nga tuneli i pandemisë, dhe duhet të kujdesemi me distancim. Me lehtësimin e sezonit turistik të gjithë sipërmarrësit do të fillojnë të marrin frymë më thellë në këtë periudhë të vështirë. Biznesi i vogël sot e ka taksën 0 angazhimi ynë është shumë i qartë: 0 do të mbetet deri në vitin 2029″ , – tha Rama.