REPORTERËT PA KUFIJ: Kultura e mosndëshkimit vazhdon të ekzistojë

Shpërndaje

Këtë vit, Maqedonia e Veriut kërceu 2 vende në këtë listë dhe tani gjendet në vendin e 90 nga gjithsej 180 vende në botë. Sot u publikua Indeksi i sivjetëm i Reporterëve pa Kufij, i cili mat lirinë e mediave në të gjitha vendet e botës.

Një nga problemet kryesore të theksuara në raportin e Reporterëve pa Kufij është vazhdimi i kulturës së mosndëshkimit për dhunën dhe sulmet ndaj gazetarëve. Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) gjatë vitit të kaluar në disa raste ka theksuar publikisht këtë fenomen dhe ka paralajmëruar që nëse nuk ndëshkohen sulmuesit e gazetarëve, dhuna do të vazhdojë dhe kjo do të evidentohet në raportet e organizatave ndërkombëtare.

Në pjesën e raportit për vendin tonë shkruan se: “viti 2020 ishte një vit i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Parlamenti u shpërbë, qeveria e përkohshme mori pushtetin, dhe më pas zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhej të shtyheshin për shkak të pandemisë me Kovid-19 dhe gjendjes së jashtëzakonshme. Situata me mediat është përkeqësuar, zyrtarë të lartë qeveritarë vazhduan me kërcënime dhe fyerje ndaj mediave ndërsa ngacmimi në internet dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve në rrjetet sociale shënojnë rritje,” thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Në raportin gjithashtu është theksuar që raportimi gjatë pandemisë aktuale ishte i komplikuar. Organizatat mediatike gjithashtu kundërshtuan ashpër ndryshimet e propozuara në ligjin për mediat shtetërore dhe private me të cilat do të lejohej reklamimi i shtetit në mediat, me arsyetimin se kjo gjë mund të inkurajojë klientelizmin. Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur Kodin e ri penal që duhet të mundësojë siguri më të madhe për gazetarët dhe punonjësit mediatik.

Sipas indeksit të fundit të lirisë së mediave, nga vendet fqinje, para Maqedonisë së Veriut janë: Kosova në vendin e 78 dhe Shqipëria në vendin e 83, ndërsa pas nesh janë Serbia në vendin e 93, Mali i Zi në vendin e 104 dhe Bullgaria në vendin e 112. Përkujtojmë edhe një herë se Maqedonia e Veriut, sipas indeksit për lirinë e mediave, në vitin e 2009 ishte në vendin e 34 nga gjithsej 175 vende në botë.