Si u menaxhua epidemia në kohën e profetit? Zekirija Bajrami: Të agjërojmë nga veset e këqija dhe përgojimi

Shpërndaje

Ka një javë që myslimanët po agjërojnë.

Ramazani për besimtarët mysliman është muaji i faljes dhe solidaritetit.
Teologu Zekirija Bajrami mbrëmë në Click Plus tha se agjërimi edukon, dhe nuk duhet agjëruar vetëm nga ushqimi, por edhe nga përgojimi dhe veset e këqija.

“Nuk është agjërimi vetëm të agjërojmë të mos hamë dhe të mos pimë, se ne në shumë raste ku agjërojmë nga gjërat hallall të lejuara, mirëpo nuk agjërojmë nga gjërat e ndaluara, që është përgojimi shpifja, zullumi.
Pra agjërimi e edukon myslimanin dhe në një aspekt ia kujton njerëzit e varfër”, deklaroi Bajrami.

Ky është viti i dytë që besimtarët mysliman ramazanin po agjërojnë në kohë pandemie.
Hoxha Zekirija Bajrami tregon se edhe në kohën e profetit Muhamed ka pasur epidemi dhe se si është menaxhuar.

“Epidemi ka pasur edhe në kohën e Muhamedit?
Po ka pasur në kohën e profetit dhe ai e ka përmendur. Këtë hadidh të profetit e kanë përmendur edhe kryetar të shteteve. Paramendoni në shekullin e VII është thënë kjo. I dërguari i Zotit, Muhamedi ka thënë: kur të dëgjoni, kur të mësoni se në ndonjë vend ka epidemi, mos hyni në atë vend mos shkoni, se do ta merrni dhe do të ju ngjitet dhe ai që është në atë vend e ka ndaluar të dal nga aty”, tregon Bajrami.

Hoxha tha se ramazani pa faljen e taravisë është ngulfatje për myslimanët, por e mira e kësaj është se besimtarët po falen në shtëpi me familjet e tyre.

“Mirëpo, shumë nga njerëzit thonë që sivjet nuk ka taravi, jo nuk është se nuk ka taravi, taravi ka, taravia falet në shtëpi, por nuk ka taravi në Xhami, mirëpo kjo është një mirësi nga një aspekt që të mundë myslimanët të falin taravinë me familjen”, sqaroi ai.

Besimtarët mysliman do të agjërojnë deri më 12 maj, ndërsa më datë 13 festojnë Fitër Bajramin me çka përmbyllet agjërimi.