97 deputetë kundër Ilir Metës/ Komisioni hetimor do drejtohet nga deputeti Alket Hyseni

Shpërndaje

Parlamenti me 97 vota pro, 6 kundër dhe 1 abstenim i dha dritën jeshile ngritjes të komisionit hetimor për presidentin Meta.

Ky komision ngarkohet që brenda 3 javëve, të argumentojë përmes një raporti të gjitha pretendimet se kreu shtetit me përfshirjen në fushatë elektorale shkeli kushtetutën.

PËRBËRJA E KOMISIONIT HETIMOR “META 2”

Alket Hyseni Kryetar

Myslym Murrizi Nënkryetar

Klotilda Bushka Sekretar

Vasilika Hysi Anëtar

Elena Xhina Anëtar

Spartak Braho Anëtar

Halil Jakimi Anëtar

Nikolin Staka Anëtar

Arlind Carcani Anëtar

Ermonela Felaj Zëvendësues

Xhemal Qefalia Zëvendësues

Eugen Bojaxhi Zëvendësues

Këtë komision të dytë hetimor ndaj kreut të shtetit do ta drejtojë socialisti Alket Hyseni me nënkryetar Myslym Murrizin. Në përbërje të komisionit janë edhe 4 anëtarë nga PS ndërsa nga opozita 3.

Kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla i tha kuvendit se “ kurrë institucioni i Kryetarit të Shtetit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale nga askush më parë, në këto 30 vite”.

“Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral aq edhe kushtetues i Kuvendit, për ti hequr një orë e më parë turpin nga vetja dhe nga emri i Shqipërisë dhe për t’ia lënë turpin në derë atij që e ka. Skandalet publike të Ilir Metës me thirrjet për dhunë dhe me qëndrimin turpërues ndaj SHBA, aleatit strategjik të Shqipërisë, makthet e tij se SHBA do ta vrasë me raketë në Malin me Gropa, krahasimet apo vendosja përballë e aeroplan-mbajtëseve ruse, koreano-veriore, si alternativë ndaj SHBA janë të mjaftueshme që Komandanti i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura të dalë me urgjencë, menjëherë në lirim menjëherë”, tha ai.

Në këtë tentativë të dytë shkarkimi socialistët janë të vendosur që deri në mesin e muajit korrik ta nxjerrim njeriun e votuar prej tyre nga zyra e presidentit.

Propozimi i pritshëm i për shkarkim, votuar nga parlamenti për presidentit, do të jetë një ndër testet më të rëndësishme në të gjithë historinë e gjykatës kushtetuese shqiptare e kthyer funksionale pas debateve të forta mes shumicës qeverisëse dhe presidentit.

Sido që të jetë vendimi kushtetueses socialistët përsëri do ta kenë përballë Ilir Meten si brenda apo jashtë pallatit presidencial.

Top Channel