A deponoi dosje Donika Gërvalla kundër krerëve të UÇK-së?! – Flet ekskluzivisht Prokurori i Speciales

Shpërndaje

Pas debatit të ditëve të fundit, Gazeta Blic, ka dërguar pyetje tek Prokurori Special, pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, Chris Bennett, lidhur me atë se a ka dërguar dosje kundër ish-krerëve të UÇK-së, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Në përgjigjen e Prokurorit Benett, dhënë për Gazeta Blic, thuhet se nuk japin informacione mbi hetimet e Prokurorisë Speciale, e as të emrave se kush ka dëshmuar kundër të akuzuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacion mbi hetimin e saj”, thuhet në përgjigjen e Chris Bennett.

Vite më parë, ministrja e tanishme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se do të dërgojë dosje në Gjykatën Speciale, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Madje, Gërvalla, pati thënë se “e gjithë Kosova e din kush është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.

Një deklaratë të tillë e kishte dhënë edhe për ish-shefin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilin e kishte quajtur njeri të botës së krimit.

E ditëve të fundit, të gjitha këto, u përdorën nga një pjesë e opozitës kosovare, duke kërkuar dorëheqjen e Donika Gërvallës, nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që të shkarkojë ministren e Punëve të Jashtme.

Reagime kundër saj ka pasur edhe nga akterë të shoqërisë civile në vend.