AFP: Vetëm ShBA-ja e bllokoi deklaratën e Këshillit të Sigurimit për Gazën

Shpërndaje

Duke cituar diplomatë, agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka raportuar se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dështuar që të dalë me deklaratë të përbashkët për uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Palestinezëve për shkak të kundërshtimit të këtij hapi nga Shtetet e Bashkuara.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Një diplomat i tha kësaj agjencie në kushte anonimiteti se Shtetet e Bashkuara mendojnë se vetë takimi emergjent i Këshillit të Sigurimit është shfaqje e mjaftueshme e shqetësimit. “ShBA-ja nuk mendon se një deklaratë do të ndihmojë në de-eskalimin e situatës”, tha një diplomat tjetër.

Sipas disa burimeve, katërmbëdhjetë nga pesëmbëdhjetë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit e përkrahën publikimin e një deklarate të përbashkët, duke nënkuptura se deklarata është kundërshtuar vetëm nga Shtetet e Bashkuara, transmeton Gazeta Express.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Tor Wennesland, paralajmëroi në takimin emergjent se situata është përkeqësuar nga e hëna dhe se ka rrezik për zgjerim të dhunës, sipas një burimi diplomatik, shkruan France24.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka 15 shtete anëtare. Prej tyre, pesë shtete janë anëtare të përhershme: Shtetet e Bashkuara, Federata Ruse, Kina, Britania e Madhe dhe Franca. Dhjetë anëtare të tjera janë të përkohshme dhe aktualisht këto ulëse i kanë: India, Meksika, Norvergjia, Irlanda, Kenia, Nigeri, Estonia, Tunizia, Vietnami dhe Ishujt Saint Vincent.

Shtetet që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit e kanë të drejtës e vetos. Nëse vetëm njëra prej tyre e shfrytëzon këtë të drejtë, asnjë deklaratë nuk mund të miratohet në emër të këtij organi të lartë.

Përpos refuzimit të deklaratës së përbashkët gjatë takimit emergjent të Këshillit të Sigurimit të mërkurën, raportohet se Shtetet e Bashkuara bllokuan edhe një deklaratë tjetër, të propozuar nga Norvegjia, Kina dhe Tunizia, për t’u bërë thirrje palëve për përmbajtje nga provokimet. Këtë veprim ShBA-të e bënë gjatë takimit të parë emergjent të Këshillit të Sigurimit për konfliktin në Gaza, i cili u zhvillua të hënën.