Bahtiri shkarkoi nga puna drejtorin që tha “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet”

Shpërndaje

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka liruar sot nga detyra drejtorin e drejtorisë së Arsimit, Ismet Ferizin për deklarimin “Sa të jem unë drejtor, askush me shami nuk do të punësohet në arsim”.

Lajmin e ka bërë të ditur Bahtiri, i cili ka theksuar se Ferizin e ka larguar edhe nga takimi zyrtar që kanë pasur në Ministrinë e Arsimit me ministren, Arbërie Nagavci.

“Ky diskriminim në baza fetare për mua ka qenë i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ku për pasojë më është dashur të marrë veprimin e lirimit nga detyra, pasi që ai nuk ka reflektuar në qëndrimin e tij edhe pas këtij takimi. Përndryshe, Drejtori i Arsimit nuk ka asnjë kompetencë dhe përgjegjësi për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, pasi që përzgjedhjen e tyre e bën komisioni i formuar nga Kuvendi i Komunës.”, ka shkruar Bahtiri në facebook.

Ndryshe, i pari i Mitrovisës ka shtuar se sot ka miratuar përzgjedhjen e drejtorëve të rinj, të cilët janë rekomanduar nga komisioni. “Kjo dëshmon se pretendimet për ndërhyrje në këtë proces nga unë, kanë qenë shpifje ndaj meje si kryetar komune.”, ka shtuar tutje Bahtiri.