Borrell kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Shpërndaje

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell në blogun e tij në webfaqen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, ka insistuar se Kosova duhet ta merr liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se e sheh të nevojshme një qasje të re të Evropës për Ballkanin Perëndimor, pas takimit që pati me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor të martën.

Sa i përket çështjes së Kosovës, Borrell ka kërkuar veprime për liberalizim të vizave, sipas tij, kjo çështje është vonuar.

“Liberalizimi i vizave të Kosovës ka kaluar shumë kohë: vendi ka përmbushur të gjitha kriteret e lidhura dhe tani duhet të bëjmë përparim për këtë çështje. Unë do ta mbështesë plotësisht këtë”, ka shkruar ai.

Borrelli ka thënë se e mirëkupton thirrjen e liderëve të Ballkanit që shtetet anëtare të BE-së të planifikojnë një të ardhme të përbashkët dhe t’i kuptojnë më mirë problemet e rajonit.

Për takimin – me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, atë të Shqipërisë Edi Rama, të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, të Serbisë Ana Bërnabiq, presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq dhe kreun e Këshillit të ministrave në Bosnje e Hercegovinë Zoran Tegeltija – Borrell ka thënë se ka qenë me rëndësi që të takohet pasi “rajoni është edhe njëherë në udhëkryq sa i përket integrimit evropian”./21Media