Konfirmohet nga Ministria e Punëve të Jashtme: Lirohen nga detyra 12 ambasadorët e emëruar politikisht

Shpërndaje

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht.

Këtë lajm e ka bërë të ditur këshilltari i lartë i Gërvallës, Kreshnik Ahmeti, i cili ka thënë se MPJD i falënderon të gjithë ambasadorët për punën dhe angazhimin e deritanishëm.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm’, ka thënë ai.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, për klankosova.tv ka deklaruar se janë liruar 12 ambasadorë.

“Po, janë liruar ambasadorët me çelës politikë, janë 12 të tillë”, ka thënë Ahmeti.

Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme.

Kujtojmë se gjatë ditës Beqë Cufaj, ambasador në Shtutgart të Gjermanisë dhe Qëndrim Gashi, ambasador në Paris, janë liruar nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani.