Kurti dhe Schieder diskutuan për prioritetet e qeverisë së re

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, priti sot në vizitë shefin e delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPO) në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.

Kurti e njoftoi eurodeputetin për vizitën e tij në Bruksel dhe takimet që pati atje. Ai foli edhe për prioritetet e qeverisë së re dhe fillimin e procesit të reformave.

Schieder konfirmoi mbështetjen për prioritetet e qeverisë, veçanërisht për reformat ekonomike dhe sociale, si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri dhe eurodeputeti biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal dhe agjendën evropiane, duke vlerësuar rolin proaktiv dhe avokues të Parlamentit Evropian, në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë COVID-19.

Në takim mori pjesë edhe Eva Elleriet, drejtoreshë e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), me të cilën u bisedua për thellimin e bashkëpunimit të suksesshëm.

“Eurodeputeti Schieder dhe znj. Elleriet i dëshiruan sukses kryeministrit Kurti në zbatimin e prioriteteve të qeverisë, që do t’i hapnin rrugë integrimit evropian të vendit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Lajmi: Kryeministri Kurti priti në takim deputetin e Parlamentit Evropian Andreas Schieder