Kurti në homazhet për Bogujevcin: Kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti ka vendosur lule të freskëta dhe ka bërë homazhe para arkivolit të këngëtarit Ismet Bogujevci, i vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në deklarimin para mediave pas homazheve, Kurti shpalosi kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për këngëtarin Bogujevci.

Ai tha se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me një mosdurim të gëzueshëm këngët e Ismet Bogujevcit dhe të Riza Bytyqit.

“Në vegjëli se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ‘Martesa jonë’, e Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ‘ushton Gryka e Kaçanikut”, e kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj nga pak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, rikujtoi kryeministri Kurti.

Ai theksoi se këngëtari Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.