LSDM bashkë me Lëvizjen BESA në zgjedhjet lokale, kandidatura shqiptare në komunat shqiptare

Shpërndaje

LSDM dhe Lëvizja BESA pritet që koalicionin e tyre ta vazhdojnë edhe në zgjedhjet lokale të tetorit, pas koalicionit që kanë për bashkëqeverisjen qendrore.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha theksoi për INA se po bëhen analizat dhe parapërgatitjet për të dal sa më fuqishëm në zgjedhjet lokale dhe se subjekti i tyre në komunat shqiptare do të dal me kandidatë të saj. Sipas tij, marrëveshja e koalicionit me LSDM është ende në fuqi.

“Në komunat me shumicë shqiptare Lëvizja BESA do të ketë kandidatët e saj. Ne kemi një marrëveshje koalicionimi me LSDM prej zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe e njejta është në fuqi”, theksoi Arjanit Hoxha. Sipas tij, informacionet që kanë dalë në publik se do të bashkohemi me BDl-në janë spekulime.

Nga LSDM thanë për INA se po vijojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale, përmes anketave dhe analizave. Ata thirren tek një deklaratë e kryetarit të tyre Zoran Zaev, që deklaroi se për koalicionet do të dihet një muaj para zgjedhjeve të tetorit, kur tradicionalisht definohen edhe koalicionet dhe zgjedhjen kandidatët për këshilltarë dhe për kryetarë komunash.

“Ende është herët. Kur do të kemi vendime në organet partiake, menjëherë do ti bëjm të ditur. Por, tendenca jonë është kohezioni dhe të jemi bashkë, dhe gjithmonë të prezantohemi në frymën një shoqëri për të gjithë. Edhe tani përcjell porosinë për bashkëpunim-parazgjedhor dhe paszgjedhor, sepse përmes bashkëpunimit mund të arrijmë suksese më të mëdha”, theksoi Zaev. (29.04.2021)

LSDM me kongresin e fundit ka përfshirë një numër të caktuar të përfaqësimit të kuadrove shqiptare nëpër organet partiake. Për nënkryetarë të partisë u zgjodh Fatmir Bytyqi, zv-kryeministër për çështje ekonomike, në vend të Muhamed Zekirit, ku ky i fundit u zgjodh për anëtarë në bordin ekzekutiv të LSDM-së, përcjell INA. Gjithashtu edhe në Këshillin Qëndror të LSDM-së janë zgjedhur anëtarë shqiptarë si: Fatlum Jusufi, Fatmir Bytyqi, Hana Xheladini, Tahir Zununi, Vait Ferati, Faruk Omeri, Egzon Guri dhe Muhamed Zekiri. Nga LSDM njoftojnë se në mesin e tyre ka anëtarë nga gjitha komunitetet në vend si: maqedonas, shqiptarë, turqë, boshnjakë, romë, serb, vlleh etj.