Mbërrijnë 60 mijë doza të vaksinës Sinovac në Shqipëri

Shpërndaje

Sot kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit, 60 mijë doza të vaksinës kineze Sinovac.

Për të pritur këtë sasi, në aeroport të pranishëm ishin dy ministrat, ajo e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ai i Rindërtimit, Arben Ahmetaj.

Manastirliu theksoi se doza e mbërritur do të shërbejë për grupmoshat të cilat deri më tani kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine, ndërsa shtoi, se synohet të ulet fasha e grupmoshave që vaksinohen, duke nisur me punonjësit e transportit publik.

“60 mijë dozat që mbërritën sot, janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac të Sinovac. 60 mijë doza, të cilat do të përdoren për qytetarët që kanë marrë dozën e parë dhe duhet të vijojnë edhe vaksinimin me dozën e dytë. Tashmë në Shqipëri janë mbi 830 mijë doza në total që kanë mbërritur.

E kemi vendosur të arrijmë 1 milion vaksinime brenda muajit qershor. Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14,040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian. Brenda muajit maj dhe fillim qershori, presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendarit të ardhjes së vaksinave, lloje të vaksinave që qeveria shqiptare ka kontaktuar dhe do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit.

Duke filluar me ardhjen e vaksinave, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e Sinovac, 500 mijë vaksina, do të vijojmë edhe rritjen e grupeve të riskut, duke përfshire edhe punonjësit e transportit publik, të cilët janë pjesë e planit tonë të vaksinimit, ndërsa do të vijojmë edhe me uljen e fashës”, tha Manastirliu.

Ndërsa ministri Ahmetaj, sigurimin e vaksinave, ia faturoi si sukses qeverisë, e cila sipas tij, ka arritur të fitojë këtë betejë ndaj virusit.
“Sot është moment i duhur relfektimi për t’iu kthyer mbrapsht betejës sonë me COVID-19.

Këtë betëjë e kemi fituar, vëmendja duhet të vazhdojë. Plani i vaksinimit është i furnizuar jo vetëm me vaksina Sinovac, Pfizer dhe AstraZencea por edhe më tej. Sot nuk mungon asnjë vaksinë. Është premtim i mbajtur, e themi sot, pas datës 25 prill. S’ka të bëjë me zgjedhjet, por me atë që do të bëjë një qeveri”, tha Ahmetaj.