Momenti kur administratori i ndërtesës telefonohet nga izraelitët para bombardimit

Shpërndaje

Administratori i nja pallati u njoftua me telefon nga ushtria izraelite që të evakuonte godinën, pasi do të bombardohej. Jamal Nasman nuk dukej fare i frikësuar teksa fliste në telefon, edhe pse bëhej fjalë për një çështje tepër serioze.

Ai tha për Reuters se i ishte kërkuar që banorët e godinës 13-katëshe të largoheshin. Ndërsa Izraeli tha se pallati përdorej edhe nga militantë të Hamas.

“Edhe sa kohë ju duhet? Dy ose tre orë? Ju thatë dy ose tre orë dhe më pas nuk duhet të ketë njeri aty? Të shkoj t’u them që të mos afrohet njeri? Në rregull, do të pres që të godisni. Të gjithë janë larguar nga godina, edhe ata të godinave përreth po qëndrojnë në rrugë. Nuk ka njeri brenda”, dëgjohet Nasman të thotë në telefon.

Edhe pse kjo është një skenë që shihet rëndom në qytetet palestineze në Gaza, jo gjithmonë Izraeli njofton paraprakisht kur do të bombardojë godina të cilat i konsideron si baza ushtarake të Hamas.

Ushtria izraelite thotë se bën çdo përpjekje për të ruajtur civilët dhe akuzon Hamasin se i përdor zonat e banuara si mburojë, për të qëlluar me raketa në drejtim të qyteteve izraelite.

Megjithatë, banorët në Gaza thonë se shumica e godinave rrafshohen pa paralajmërim.

Vetëm të shtunën, në sul*met e realizuara nga ushtria izraelite kanë humbur jetën 13 persona, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, ndërsa numri total që prej përshkallëzimit të konfliktit 5 ditë më parë ka shkuar në 139, shkruan a2news.

Ushtria izraelite raportoi se gjatë natës, rreth 200 raketa janë lëshuar nga Gaza në drejtim të shtëpive në Ashdod, Bersheva dhe Sderot.