Në Kosovë mbërrijnë 4,680 vaksina Pfizer/BioNTech

Shpërndaje

Në Kosovë arritën të martën 4,680 doza të vaksinës kundër koronavirusit Pfizer/BioNTech, raporton REL. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha përmes një postimi në Facebook se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.

Vaksinimi do të rifillojë të mërkurën, tha Ministria e Shëndetësisë. Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Të martën në Kosovë u raportuan 75 raste të reja me koronavirus dhe katër viktima. Në total, Kosova ka regjistruar 105,711 raste pozitive. Prej tyre, 2,191 kanë vdekur dhe 96,012 janë shëruar.