Opozita shqiptare dorëzon nismë në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Qeverisë për turistët serb

Shpërndaje

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka parashtruar në Gjykatën Kushtetuese, nismë për vlerësim të ligjshmërisë së vendimit të Qeverisë, me të cilin lirohen qytetarët serb nga pagesa rrugore.

Avokati i opozitës shqiptare, Abidin Abduli ka deklaruar se vendimi është në kundërshtim me ligjin për pagesë rrugore dhe njëkohësisht i vendosë në pozitë të pabarabartë qytetarët e vendit, por edhe qytetarët e huaj të vendeve fqinje që tranzitojnë përmes Maqedonisë së Veriut.

“Vlerësojmë si parti politike se ky vendim i Qeverisë është anti Ligjor për shkak se në Ligjin për rrugë publike taksativisht shkruhet se cilat veturat janë të liruara nga pagesa rrugore. Andaj vlerësojmë se çdo vendim i Qeverisë duhet të jetë në përputhshmëri me Ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese nuk na ka dhënë përgjigje, por ne si parti politike duhet ta ngremë zërin kundër çdo padrejtësie, çdo vendimi gjyqësor, ç’do vendimi të Qeverisë i cili nuk është në përputhshmëri me ligjet e këtij vendi”, deklaroi Abidin Abduli, Avokat ASH-AAA.