Opozita shqiptare reagon ashpër për emërimet në Këshillin Strategjik të formuar nga Ministri i Jashtëm

Shpërndaje

Koalicioni opozitar ASH-AAA ka reaguar në lidhje me Këshillin Strategjik të formuar nga Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani e ku vend kishin zënë edhe Sërgjan Kerim, i dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorime nga ana e PSP-së, si edhe Valentina Bozhinovska, e cila njihet për qëndrimet e saja antishqiptare.

“Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa po ndjekin me shqetësim kahjen që po merr politika e jashtme e vendit, e cila ngadalë po kthehet drejt ditëve më të errëta të regjimit. Me emërimet e djeshme të disa anëtarëve në këshillin që do duhet të planifikojë strategjinë e jashtme për 10 vitet e ardhshme vazhdojnë të rehabilitohen figura të afërta me Gruevskin. Përveç ish-ministrit të Gruevskit i cili po udhëheq me këtë resor, emërimet e djeshme rehabilitojnë edhe disa bashkëpunëtorë tjerë të tij të afërt si Valentina Bozhinovska dhe Srgjan Kerim.

Ndonëse emërimin si kryediplomat të një mjeku pa përvojë në diplomaci, për më tepër të akuzuar nga PSP për keqpërdorime në spitalin e Ohrit, e kuptojmë si çmim që po paguhet për të ruajtur shumicën e brishtë, është plotësisht e pakuptueshme se çfarë strategjie mund të na përgatisin figura shovene dhe të kompromituara si Srgjan Kerim dhe Valentina Bozhinovska.
E rikujtojmë opinionin se Srgjan Kerim ishte i akuzuar për kalim ilegal në kufi të parave të fshehura nëpër shishe dhe se po i njëjti ishte shkaktar i shkatërrimit masiv të profesionit të gazetarisë në vend, kur la një morri gazetarësh të aftë dhe të njohur pa punë dhe pa rroga të paguara.

Ndërkaq Valentina Bozhinovska i është e njohur mirë opinionit, kur e frymëzuar nga vepra e Adolf Hitlerit kërkoi që në stilin e tij të kryhet operacion i “natës së thikave” me të cilin do të pastroheshin një herë e mirë personat që i zinin rrugën kryetarit të saj të atëhershëm Gruevski, si nga rradhët e maqedonasve ashtu edhe në rradhët e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, përkundër deklarimeve të ministrit Osmani se në këshill do zëra nga i gjithë spektri politik, ai përsëri na dëshmon se kur bëhet fjalë për kuadro shqiptarë, pa marrë parasysh sa profesionalë dhe të pakorruptuar të jenë, ata anatemohen dhe luftohen vetëm nëse kanë thënë një fjalë të vetme kundër BDI-së. Pyesim publikisht, pse në këtë këshill nuk u gjet vend për figura të tilla si Blerim Reka apo Arsim Zekolli, të dy ish-diplomatë të shquar, njëri madje ish-ministër dhe tjetri ish-ambasador i OSBE. Përse figura të këtilla që gëzojnë respekt në qarqet diplomatike ndërkombëtare, nuk qenkan të duhurit për të krijuar strategji të politikave të jashtme për një vend siç është Maqedonia.

Vendi ynë sot ka nevojë për një diplomaci të mirëfilltë, e cila në këto momente ka rol kyç për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë. Në vend të fajësojë Bullgarinë dhe të bëjë propaganda qesharake që tenton të gjykojë kredibilitetin e BE-së, ministri Osmani së pari duhet të shikojë oborrin e vet. Ne si koalicion kërkojmë prej tij kërkojmë përgjegjësi për kyçjen e lloj-lloj elementeve të korruptuara në diplomaci dhe për koketimet me figuara të frymëzuara nga nacizmi. Si hap i parë kërkojmë rishqyrtimin e menjëhershëm të këshillit skandaloz që ai ka formuar dhe përzgjedhjen e tij në një debat gjithpërfshirës, ku pikë së pari fjalën e vet duhet t’a thonë diplomatët e aftë që ai ka brenda ministrisë por për teke politike krejtësisht i ka anashkaluar”, tha Shefik Duraku nga koalicioni opozitar ASH-AAA.