Osmani: Do të kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave

Shpërndaje

Pas arritjes së marrëveshjes me prodhuesin Pfizer për blerjen e mbi 1.2 milion vaksinave, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përgëzuar Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se me këtë sasi do të arrihet mbrojtja e shëndetit të qytetarëve.

E para e vendit ka thënë se përkundër sfidave fillestare, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve të Kosovës, do të kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të filluar vaksinimin masiv.

“Përgëzoj në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arritje të rëndësishme. Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.

Tutje Osmani ka ftuar qytetarët që deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, të kenë kujdes. “Të kemi besim në njëri-tjetrin. Të kemi besim se këtë sfidë të rëndë do ta tejkalojmë së bashku!”, ka përfunduar ajo.