Prezantohet programi i qeverisë Kurti 2 (LIVE)

Shpërndaje

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme me temën e vetme të rendit të ditës prezantimin e programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm nga kryeministri Kurti. Ky program qeverisës fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioriteti i parë sipas Qeverisë Kurti 2 është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave për të cilat qeveria Hoti nuk arriti të realizojë në kohë kontratat e duhura.

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vetingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.

Po ashtu Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale në 250 euro. Plani qeverisës parasheh edhe një pagë 6 mujore prej 250 eurove për lehonat e papuna.

Kurti ka bërë të ditur se gjatë mandatit qeverisës, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE dhe për anëtarësim në Kartën e Adriatikut. Ai po ashtu ka thënë se qeveria e tij është duke përgatitur dosjen për të paditur Serbinë për genocid, teksa dialogun e ka renditur prioritet të katërt për qeverinë e tij.

Opozita ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos publikimin me kohë të planit qeverisës.