Rama flet nga sheshi “Skënderbej”: Nesër del Komiteti me planin e ri për lehtësimin e masave. Nuk bën asnjë koment për vendimin që DASH dha për Berishën

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar procesin e vaksinimit në sheshin “Skënderbej”, nga ku ka thënë se nesër do të dalë Komiteti me planin e ri për lehtësimin e masave.

“Ajo që unë mund të shtoj është se jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë-shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë nuk kemi parashikueshmëri të plotë me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.

Nesër komiteti do dalë me plan të ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon më të lirë turistikSë shpejti do të dalim me programin e angazhimeve për mandatin e tretë”, tha Rama.

Kur u pyet për vendimin e DASH për të shpallur “non grata” ish kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, Rama zgjodhi të mos komentonte duke thënë: “Jam i fokusuar tek puna.”

Kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi ngritjen e një padie ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Anthony Blinken. Ishte Blinken ai që dha njoftimin se ai dhe familja e tij janë shpallur “non grata” në SHBA.

Sipas Departamentit të Shtetit, në kapacitetet e tij si kryeministër në veçanti, Berisha “u përfshi në akte korruptive, të tilla si keqpërvetësimi i fondeve publike dhe ndërhyrja në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit të tij në përfitim personal dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar te institucionet qeveritare dhe zyrtarët publikë.”/Top Channel.